Vdekja e 18-vjeçarit nga Podujeva, policia arreston dy të dyshuar
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Podujevës kur një 18-vjeçar ka humbur jetën pas një sulmi brutal nga disa persona. L.F., mashkull 18-vjeçar, ishte duke u trajtuar në njësinë e mjekimit intensiv pas sulmit, por disa orë më pas ka ndërruar jetë, bëri të ditur për Nacionalen zëdhënësi i Policisë, Agron Borovci.
Në kontekst të këtyre ngjarjeve, njësia e hetimeve të përgjithshme të rajonit të Prishtinës ka arrestuar dy persona të dyshuar, të cilët janë dërguar në mbajtje për të vazhduar procesin hetimor.
Zyrtarët e QKUK-së në Prishtinë kanë konfirmuar vdekjen e 18-vjeçarit, ndërsa policia ka filluar një hetim nën dyshimet për veprën penale "Vrasja në tentativë".
Deklarata e Agron Borovcit për Nacionalen:
Sot nga zyrtarët e QKUK-së në Prishtinë, policia ka pranuar konfirmimin se L.F, mashkull, 18 vjeç, i cili ishte duke u trajtuar në njësinë e mjekimit intesiv ka ndërruar jetë.
Në hetimin penal, që njësia e hetimeve të përgjithëshme e rajonit të Prishtinës po kryente në drejtim të veprës penale “Vrasja në tetntativë” përkitazi me rastin e ndodhur më 14.01.2024, në rrugën “Drenica” në Podujevë, i njëjti ka qenë viktimë.
Ndërlidhur me ngjarjen po në të njëjtën ditë policia ka arrestuar dy persona të dyshuar të cilët janë dërguar në mbajtje si vijimësi e procesit hetimor.
Trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërkohë që në përputhje me rrethanat e reja, policia me autorizimin e prokurorit të shtetit, ka ricilësuar veprën penale që po hetohej deri tani dhe ka orientuar hetimin në drejtim të veprës penale “Vrasje e Rëndë”.