Vazhdon protesta në Shkup, thyhen xhamat e MPJ-së
Po vazhdon dita e katërt e protestave në Shkup me moton “Ultimatum? Jo faleminderit.
Protestuesit po kërkojnë që autoritet e qeverisë në Maqedoninë e Veriut, të refuzojnë propozimin e Bashkimit Evropian, të njohur si propozim francez, për fillimin e negociatave për anëtarësim.
Gjatë kësaj proteste, protestuesit maqedonas kanë thyer xhamat e ndërtesës së Ministrisë së Punëve të Jashtme në Shkup, në ditën e katërt të protestave kundër propozimit francez.
Protesta, e cila ka filluar para objektit të qeverisë, ka vazhduar më pas tek MPJ, ku protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike dhe gjësende të forta, duke thyer xhamat e përparmë të ministrisë.
Protestuesit i kanë bërë thirrje ministrit të Jashtëm, Bujar Osmanit, që "ta mësoj historinë", raporton Radio Evropa e Lirë.
Në pankartat e protestuesve emri i Bujar Osmanit, ishte deformuar në Bugar Osman
Protestuesit janë ndaluar para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, në protestën që po vazhdon edhe në orët e mbrëmjes së 5 korrikut.
Gjatë protestës, policia maqedonase tha se janë lënduar katër policë.