Vazhdojnë sulmet në Kherson, kërkohet evakuimi i banorëve për në Rusi
Banorëve dhe zyrtarëve që ndodhen në pjesën e pushtuar ende nga forcat ruse të rajonit Kherson, u është kërkuar që të largohen për në Rusi.
Përmes një postimi në Telegram, Administrata Ushtarake dhe Civile në Oleshky, vend i pushtuar ende nga Rusia, që shtrihet në anën lindore të lumit Dnipro, tha se "rekomandon fuqimisht që banorët e rrethit të largohen për në rajone të sigurta të Federatës Ruse".
Sipas kësaj administrate, punonjësit e administratës së instaluar nga Rusia të Nova Kakhovka, një qytet në Kherson, tashmë janë zhvendosur në vende të sigurta.
"Pas ngjarjeve të njohura të 11 nëntorit, kur trupat ruse u larguan me urdhër nga bregu perëndimor i rajonit Kherson, Nova Kakhovka u vu nën zjarr të drejtpërdrejtë nga artileria e kalibrit të madh dhe mortajat e Forcave të Armatosura të Ukrainës. Zjarri pa kriter nga Bregu lindor i lumit Dnipro e bëri jetën në qytet të pasigurt”, thuhet në deklaratën e administratës, ku më pas shtohej se: “Punonjësit e Administratës Shtetërore të Nova Kakhovka, institucionet shtetërore dhe komunale janë larguar nga qyteti dhe janë zhvendosur në vende të sigurta në rajon”.
Si pasojë e dëmtimit të linjave me fibër optike bëhet e ditur se në qytet nuk ka internet apo rrjet për komunikim me telefon.
