Vazhdojnë kërkimet për 30-vjeçarin Jurgen Karaj, ende asnjë gjurmë pas 25 ditësh - NACIONALE

Vazhdojnë kërkimet për 30-vjeçarin Jurgen Karaj, ende asnjë gjurmë pas 25 ditësh

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Prej 25 ditësh po vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit të 30-vjeçarit Jurgen Karaj nga fshati Fullqet i Klosit, i cili dyshohet se është rrëmbyer nga rrjedha e ujit në zallin e Darsit më 10 janar.

Që nga dita e zhdukjes, kërkimet janë zhvilluar pa ndërprerje përgjatë rrjedhës së lumit Mat, ku çdo ditë në terren kanë qenë të angazhuara dhjetëra forca të Batalionit të Tretë të Repartit të Këmbësorisë në Burrel, familjarë të të zhdukurit si dhe struktura të tjera mbështetëse.

Nga data 29 janar, operacionit të kërkimit i është bashkuar edhe një grup i specializuar nga Forcat e Sigurisë së Kosovës. Mbi 11 pjesëtarë të FSK-së janë çdo ditë në terren, në bashkëpunim me forcat shqiptare.

E gjithë vija lumore e lumit Mat është kontrolluar disa herë, por deri më tani nuk është gjetur as trupi i 30-vjeçarit dhe as ndonjë shenjë që do të çonte në zbardhjen e fatit të tij. Paralelisht, kërkimet janë shtrirë edhe në basenin ujor të liqenit të Ulzës.

Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë përdorur edhe dron nënujor në hyrje të liqenit, duke mundësuar kontrollin në thellësi. Megjithatë, deri më 3 shkurt, kërkimet kanë rezultuar pa sukses.

Operacioni do të vijojë edhe në ditët në vijim, ndërsa rënia e ndjeshme e prurjeve të lumit Mat gjatë ditëve të fundit ka krijuar kushte më të favorshme për kontroll më të detajuar nga ekipet e angazhuara në terren.

Lajme të ngjashme