Vance i quan “skandaloze” komentet e Zelenskyt për Orbanin e Hungarisë
Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, tha të mërkurën se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka dhënë komente “skandaloze” për kryeministrin hungarez, Viktor Orban, duke u dhënë jehonë akuzave të Budapestit se Kievi po i shfrytëzon dërgesat e energjisë në përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet që pritet të mbahen së shpejti në Hungari.
Komentet e nënpresidentit amerikan erdhën gjatë vizitës së tij në Budapest me qëllim të rritjes së gjasave të nacionalistit Orban për fitore në zgjedhjet e 12 prillit, të cilat shihen si jetike për ndikimin e mbështetësve të lëvizjes MAGA të Donald Trumpit në Evropë. Orbani ballafaqohet me sfidën më të vështirë ndaj pushtetit të tij 16-vjeçar, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Marrëdhëniet e tensionuara të Hungarisë me Ukrainën kanë zënë vend qendror në fushatën zgjedhore. Budapesti po e akuzon Kievin se qëllimisht e ka ndalur rrjedhjen e naftës ruse nëpër naftësjellësin Druzhba në përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet hungareze.
Hungaria u kundërpërgjigj përmes bllokimit të një huaje të BE-së me vlerë të 90 miliardë eurove për Ukrainën, duke e nxitur Zelenskyn që të thoshte se ai do të mund t’ia jepte ushtrisë ukrainase adresën e kujtdo që është përgjegjës dhe ajo “do të mund të fliste me atë në gjuhën e tyre”.
Duke folur në një universitet hungarez, Vance tha se Orbani i ka treguar për komentet e Zelenskyt.
“Kjo është tërësisht skandaloze. Nuk duhet të ketë kurrë udhëheqës të një qeverie të huaj... që e kërcënon kreun e qeverisë së një vendi aleat” – tha amerikani.