Vaksina daneze kundër lisë së majmunit e merr miratimin fillestar nga rregullatori i BE-së
Kompania bioteknologjike daneze, “Bavarian Nordic”, tha të premten se rregullatori i ilaçeve i Bashkimit Evropian ka rekomanduar që vaksina e saj, “Imvanex”, të miratohet për përdorim edhe kundër lisë së majmunit.
Agjencia Evropiane e Ilaçeve “ka miratuar një opinion pozitiv që rekomandon që autorizimi i marketingut për vaksinën e kompanisë kundër lisë, IMVANEX, të zgjerohet për ta përfshirë edhe mbrojtjen e njerëzve nga sëmundja e lisë së majmunit”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Kjo vaksinë, e vetmja që është miratuar për parandalimin e lisë së majmunit në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, në Bashkimin Evropian deri më tani është miratuar vetëm për trajtimin e lisë së rëndomtë.
Megjithatë, kompania e ka shpërndarë vaksinën në disa shtete të BE-së gjatë valës së përhapjes së lisë së majmunit.
Kompania tha se rekomandimi i Agjencisë Evropiane të Ilaçeve do të dërgohet së shpejti në Komisionin Evropian për miratim përfundimtar.