Vaki afrikane: Ushtria e rrëzon me puç qeverinë ushtarake që erdhi në pushtet me puç - NACIONALE

Vaki afrikane: Ushtria e rrëzon me puç qeverinë ushtarake që erdhi në pushtet me puç

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kapiteni i ushtrisë së Burkina Faso-s, Ibrahim Traore, njoftoi të premten në mbrëmje se ushtria e ka marrë pushtetin në vend dhe e ka rrëzuar udhëheqësin e qeverisë ushtarake, Paul Henri Damiba, i cili edhe vetë kishte ardhur në pushtet përmes puçit para vetëm tetë muajve.

Traore tha se një grup i oficerëve, të cilët e kishin ndihmuar Damiba-n për ta marrë pushtetin në janar, kishin vendosur që udhëheqësi nuk mund ta sigurojë më shtetin, vend që po ballafaqohet me kryengritje në rritje të grupeve militante.

Deklarata e nënshkruar nga Traore u lexua të premten vonë në televizion nga një oficer tjetër ushtarak, shkruan VOA, përcjell Nacionale.

“Të ballafaquar me situatë në përkeqësim, ne u munduam disa herë që Damiba ta rivendoste në vëmendje tranzicionin në çështjen e sigurusië”, thuhet në deklaratën e Traore-s.

Kur Damiba erdhi në pushtet, në janar, pas rrëzimit të presidentit Roch Kabore, ai kishte premtuar se do ta bënte vendin më të sigurt. Sidoqoftë, dhuna ka vazhduar dhe tensionet politike janë rritur në muajt e fundit.

Udhëheqësit e rinj ushtarak të shtetit afrikan thanë se do ta shpërndajnë asamblenë kombëtare dhe gjithashtu njoftuan se kufijtë e vendit janë mbyllur e ora policore do të jetë në fuqi nga ora 21:00 deri në orën 05:00.

Lajme të ngjashme