Ushtria iraniane zotohet se do të luftojë deri në “fitoren e plotë”
Ushtria iraniane do ta vazhdojë kundërpërgjigjen e saj ndaj luftës së nisur nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli derisa të arrihet “fitorja e plotë”, tha komandanti i saj në një deklaratë të publikuar nga mediat shtetërore.
Gjeneral Major Ali Abdollahi Aliabadi nuk dha hollësi për atë se çfarë do të cilësonte Irani “fitore të plotë”. Ai tha se Shtetet e Bashkuara “janë rrëzuar para syve të botës”, ndërsa presidenti Donald Trump ka mbetur “duke u përpjekur që të ikë nga lufta” që e nisi vetë, raporton gazeta “The Guardian”.
“Presidenti amerikan, Trump, pasi e kuptoi situatën dhe mbeti i ngujuar në luftë, e ka humbur shpresën në qëllimet e tij dhe tani po kërkon ndihmë nga vendet e tjera për të dalë prej saj. Ky është një moment historik dhe nder i madh për popullin iranian” – tha Aliabadi.
“Në këtë kohë të ndjeshme, forcat e armatosura të Iranit mbeten besnike ndaj premtimit të tyre, i shkojnë pas plotësisht liderit suprem dhe komandantit suprem, Mojtaba Khamenei, dhe do ta vazhdojnë këtë rrugë krenare me mbështetjen e popullit deri në fitoren e plotë”- shtoi ai.
Ndërkohë, Gjysmëhëna e Kuqe Iraniane tha se nga sulmet amerikano-izraelite në Iran janë dëmtuar ose shkatërruar më shumë se 82.000 struktura civile në mbarë vendin që nga fillimi i luftës.