Ushtria e Ukrainës thotë se ka rrethuar mijëra ushtarë rusë në qytezën Liman
Një zëdhënës i ushtrisë ukrainase tha të shtunën se Ukraina ka rrethuar mijëra trupa ruse në qytezën Liman, bastion kritik për Moskën, në një operacion që ende është duke vazhduar.
Kapja e kësaj qyteze, të cilën Rusia e ka përdorur si qendër transporti e logjistike për operacionet e saj në veri të rajonit Donetsk, do të ishte hap i madh prapa për planin e Kremlinit për ta aneksuar tërë rajonin industrial të Donbasit, raporton agjencia “Reuters”.
“Grupimi rus në zonën e Limanit është rrethuar”, tha Serhii Cherevatyi, zëdhënës për forcat lindore të Ukrainës.
“Limani është i rëndësishëm, sepse është hapi i radhës drejt çlirimit të Donbasit ukrainas. Është një mundësi për të shkuar më tej për në Kreminna dhe Sievierodonetsk dhe në aspektin psikologjik është shumë e rëndësishme”, tha ai.
Sipas zëdhënësit, numri i përgjithshëm i ushtarëve rusë në Liman është 5.000 deri në 5.500, por shifra e ushtarëve të rrethuar mund të ketë rënë për shkak të pasojave në njerëz dhe përpjekjeve të disa ushtarëve për ta thyer rrethimin.
Ai tha se trupat ruse po bëjnë përpjekje të pasuksesshme për ta thyer rrethimin. “Disa po dorëzohen, kanë shumë të vrarë dhe të plagosur, por operacioni nuk ka përfunduar ende”, tha Cherevatyi.