Ura e Ibrit, Gashi: Tash rreziku juridik është më i madh dhe bisedimet më të ndjeshme, duhet strategji e përgjegjësi shtetërore
Pas njoftimin nga Bashkimi Evropian se konsiderojnë kushte të pjekura për hapje të Urës së Ibrit për qarkullim të veturave, ka reaguar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.
Ai tha se tash “rreziku juridik është më i madh.”
Gashi shtoi se duhet strategji dhe përgjegjësi shtetërore.
Postimi i plotë:
Kur thoja se gjendja faktike në veri ka ndryshuar, dhe se detyra jonë është ta ruajmë këtë status quo të re, ta përmirësojmë dhe njëkohësisht të luftojmë për ta forcuar pozitën juridike të Kosovës, shumëkush më sulmonte, madje edhe nga brenda.
Sot, rreziku juridik është më i madh se më parë. Bisedimet janë më të ndjeshme e më të rrezikshme. Ndërsa arkitektura e sigurisë botërore po ndryshon dhe kjo do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në rajonin tonë.
Prandaj Kosovës i duhet maturi, strategji dhe përgjegjësi shtetërore.
Duhet ta ruajmë atë që kemi arritur, ta forcojmë pozitën tonë juridike e ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, të jemi të përgatitur për çdo zhvillim.
Raportet speciale me aleatët nuk janë luks politik. Janë interes jetik dhe garanci e sigurisë së Kosovës.
Në kohë pasigurie, shteti nuk udhëhiqet me emocione. Udhëhiqet me vizion, maturi dhe guxim.
Prandaj na duhen institucione të fuqishme, me vizion të qartë dhe program konkret politik, ekonomik dhe të sigurisë.
Kosova nuk ka nevojë për improvizim. Ka nevojë për shtet që mendon përpara, që parashikon rreziqet dhe që di t’i mbrojë interesat e saj.