Pamje: Ukraina thotë se ka goditur një fabrikë ushtarake thellë brenda Rusisë
Forcat ukrainase kanë kryer një sulm raketor thellë brenda Rusisë, duke goditur një fabrikë të rëndësishme ushtarake gjatë natës së kaluar, sipas presidentit Volodymyr Zelensky.
Ai tha se raketa të tipit “FP-5 Flamingo” e goditën fabrikën e dronëve dhe raketave në qytetin Cheboksary të Republikës Chuvash, më shumë se 900 kilometra larg vijës së frontit. Zyrtarët lokalë thanë se tre persona u lënduan nga një sulm me raketë në qytet, raporton televizioni BBC.
Ukraina tha se i ka goditur edhe portin e pushtuar të Mariupolit në Detin e Azovit, një rafineri ruse të naftës në Samara dhe një anije cisternë të “flotës në hije” në Detin e Zi.
Në muajt e fundit, ushtria ukrainase i ka shpeshtuar sulmet me dronë ndaj objekteve kyçe në pjesë të ndryshme të Rusisë.
Kievi thotë se qendrat energjetike janë caqe legjitime, pasi ato ia mundësojnë Moskës zhvillimin e luftës. Megjithatë, sulmet me raketa thellë brenda Rusisë kanë qenë të rralla.
Ushtria ruse tha se njësitet e mbrojtjes ajrore të saj kishin penguar ose rrëzuar 326 dronë ukrainas në disa rajone gjatë natës.
Ndërkohë, Forca Ajrore e Ukrainës tha se rrëzoi 181 nga 207 dronët e hedhur nga Rusia gjatë kësaj periudhe.