Ukraina raporton për tre të vrarë nga një sulm ajror rus në Lviv
Një sulm ajror rus në qytetin perëndimor ukrainas, Lviv, jo larg kufirit me anëtaren e NATO-s, Poloninë, ka lënë të vdekur tre persona, mbi 30 të tjerë të lënduar dhe ka shkatërruar ndërtesa historike në zemër të qytetit, thanë të mërkurën zyrtarët rajonalë.
Ky sulm erdhi një ditë pas sulmit më vdekjeprurës të luftës këtë vit, kur forcat ruse goditën një institut ushtarak në qytezën qendrore, Poltava, me dy raketa balistike, duke vrarë 50 persona e duke plagosur qindra të tjerë, raporton agjencia “Reuters”.
Në mesin e të vrarëve në Lviv nga sulmi me dronë e raketa ishte një vajzë 14 vjeçe, ndërsa pesë fëmijë të tjerë ishin në mesin e të lënduarve, th guvernatori rajonal, Maksym Kozytskyi.
Andriy Sadovyi, kryetar i Lvivit, që është qendër e rajonit me të njëjtin emër, tha se në mesin e të vdekurve ishin edhe një infermiere dhe një burrë, ndërsa 35 persona po merrnin ndihmë mjekësore.
Në një video të publikuar në rrjetin “Telegram”, ku kryetari i qytetit shihej në mesin e mbetjeve të një ndërtese të shkatërruar, ai tha se mbi 50 struktura, përfshirë shtëpi, shkolla e klinika, shumica në zemër të qytetit, ishin dëmtuar.
Polonia fqinje aktivizoi aeroplanë luftarakë të mërkurën për të tretën herë brenda tetë ditëve për ta ruajtur sigurinë e hapësirës së vet ajrore, tha komanda operacionale e forcave të armatosura.