Ukraina pretendon se e ka fundosur luftanijen e madhe ruse, “Tsezar Kunikov”
Ushtria ukrainase pretendon se përmes dronëve ujorë “ka goditur dhe ka fundosur” një luftanije të madhe ruse afër Krimesë.
“Forcat e Armatosura të Ukrainës, bashkë me njësitin e inteligjencës të Ministrisë së Mbrojtjes, e shkatërruan anijen e madhe zbarkuese “Tsezar Kunikov”. Ajo ishte në ujërat territoriale ukrainase, afër Alupka-s, në kohën e goditjes” – shkroi ushtria ukrainase në rrjetin “Telegram”.
Mediumi “Ukrainska Pravda” raportoi se anija “u qëllua dhe u fundos” si dhe publikoi disa video ku shihet tym mbi det, afër bregdetit të Krimesë, si dhe disa helikopterë duke fluturuar në qiell, raporton gazeta "The Telegraph".
Ligjvënësi ukrainas, Oleksiy Honcharenko, tha se anija e shënjestruar kishte marrë pjesë në operacionet ushtarake ruse në Gjeorgji më 2008.