Ukraina ka kapur një ushtar të plagosur të Koresë së Veriut, thotë Seuli - NACIONALE

Ukraina ka kapur një ushtar të plagosur të Koresë së Veriut, thotë Seuli

1 vit më parë

nga NACIONALE

Forcat ukrainase kanë kapur një ushtar të lënduar të Koresë së Veriut, i cili ishte dërguar për ta përkrahur luftën e Rusisë, tha të premten agjencia e inteligjencës e Koresë së Jugut.

Ushtari besohet se është i burgosuri i parë verikorean i luftës që është kapur nga koha kur Penjani dislokoi forca në mbështetje të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, raporton televizioni BBC.

Konfirmimi nga agjencia e inteligjencës e Koresë së Jugut erdhi pas qarkullimit të një fotografia në rrjetin “Telegram” ku pretendohet se shfaqej ushtari i plagosur korean.

“Kjo është e para në një varg kapjesh e vrasjesh” – tha Yang Uk nga Instituti “Asan” për Studime të Politikave. “Për ukrainasit, është më fitimprurëse që t’i kapin këto trupa të Koresë së Veriut dhe të mundohen që t’i shkëmbejnë me të burgosurit ukrainas të luftës” – shtoi ai.

Forcat ukrainase thonë se ushtarëve të Koresë së Veriut u janë lëshuar dokumente të rreme identifikuese ruse, ndërsa presidenti Volodymyr Zelensky javën e kaluar publikoi pamje ku tha se shfaqeshin trupa ruse duke ua djegur fytyrat ushtarëve të vrarë të Koresë së Veriut për ta fshehur identitetin e tyre.

Shërbimet e inteligjencës të Ukrainës dhe Koresë së Jugut kanë thënë se shumë prej trupave koreanoveriore të dislokuara në Rusi janë prej ushtarëve më të mirë, të tërhequr nga Trupa e 11-të, e njohur edhe si Trupa e Stuhisë. Ky njësit është i trajnuar për infiltrim, sabotim të infrastrukturës dhe vrasje.

Lajme të ngjashme