Ukraina e Rusia e nisin rundin e dytë të bisedimeve të paqes në Abu-Dabi
Negociatorët ukrainas dhe rus e nisën rundin e dytë të bisedimeve të paqes të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara në Abu-Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, përderisa Uashingtoni po mundohet që të gjejë një rrugë drejt përfundimit të luftës që nisi para gati katër vjetëve.
Bisedimet tripalëshe e dyditore që nisën të mërkurën vijnë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e akuzoi Moskën për shfrytëzimin e një armëpushimi në fushën e energjisë të mbështetur nga ShBA-ja javën e kaluar për të grumbulluar armë para se të niste një numër rekord të sulmeve me raketa balistike drejt Ukrainës të martën, raporton gazeta “The Guardian”.
Pavarësisht përpjekjeve të përtërira diplomatike nga administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, gjasat për një marrëveshje të arritshme të paqes mbeten të paqarta, pasi Moska po vazhdon që t’i shtrojë kërkesat e saj maksimaliste territoriale.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të mërkurën se forcat ruse do të vazhdojnë të luftojnë derisa Kievi të marrë “vendime” që mund ta sjellin fundin e luftës, duke e nënvizuar qëndrimin e ashpër të Moskës edhe në kohën e rinisjes së bisedimeve.
Ukraina pësoi një goditje diplomatike para bisedimeve, pasi presidenti amerikan nuk e dënoi Rusinë për sulmin ndaj rrjetit energjetik ukrainas me raketa e dronë pavarësisht armëpushimit.
Rundi i dytë i bisedimeve fillimisht ishte planifikuar që të fillonte të dielën e javës së kaluar në Abu-Dabi, por u shty deri të mërkurën për shkak të rritjes së tensioneve në rajon për Iranin.