Ukraina e Finlanda nënshkruajnë marrëveshje 10-vjeçare të sigurisë
Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, të mërkurën e vizitoi Ukrainën, ku bashkë me homologun Volodymyr Zelensky nënshkruan një marrëveshje për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe përkrahje afatgjatë mes dy vendeve, tha në një deklaratë zyra e presidentit finlandez.
Pakti mbulon një varg temash, përfshirë përkrahjen politike, mbështetjen e sigurisë dhe mbrojtjes të Ukrainës si dhe përkrahjen për reformat dhe rindërtimin e Ukrainës, raporton agjencia “Reuters”.
“Marrëveshja 10-vjeçare është dëshmi e përkushtimit afatgjatë të Finlandës në mbështetjen e Ukrainës” – tha zyra e presidentit Stubb.
Finlandezi i tha Zelenskyt se Finlanda do të dërgojë një pako tjetër të materialeve të mbrojtjes me vlerë prej rreth 188 milionë eurosh, duke e çuar në rreth dy miliardë euro shumën e përgjithshme të kontributit të Finlandës për Ukrainë nga viti 2022.