Uji në Gërmi jashtë normave, komuna reagon: Mos të krijohet panik pa u analizuar mostrat
Komuna e Prishtinës ka reaguar pas vendimit për mbylljen e pishinës së Gërmisë.
Njoftimi:
JEMI NË PRITJE TË REZULTATEVE PËRFUNDIMTARE NGA IKSHPK DHE APELOJMË QË TË MOS KRIJOHET KONFUZITET PA U PËRFUNDUAR PROCESI I ANALIZIMIT TË MOSTRAVE
Të nderuar qytetarë,
Kryeqyteti njofton opinionin publik se Ndërmarrja Publike Lokale “Sportmarketing”, me vetiniciativë, ka inicuar nënshkrimin e një marrëveshjeje me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), me qëllim të marrjes dhe analizimit të mostrave të ujit, si dhe monitorimit javor të cilësisë së tij në Pishinën e Gërmisë.
Sportmarketing, në cilësinë e ndërmarrjes publike, shpreh përkushtimin e plotë për zbatimin e të gjitha udhëzimeve dhe rekomandimeve të IKSHPK-së dhe institucioneve përgjegjëse, duke e konsideruar shëndetin publik si prioritetin kryesor.
Megjithatë, Kryeqyteti shpreh shqetësimin lidhur me alarmin e panevojshëm të krijuar nga deklaratat publike të parakohshme dhe të pambështetura në rezultate përfundimtare. Sipas vetë IKSHPK-së, mostrat e dyta janë ende në proces të analizës laboratorike dhe rezultatet përfundimtare pritet të publikohen nesër. Çdo komunikim publik para përfundimit të këtyre analizave rrezikon të dezinformojë qytetarët dhe të krijojë konfuzitet.
Kryeqyteti apelon për maturi dhe përgjegjësi në komunikimet publike, duke riafirmuar angazhimin për transparencë të plotë dhe bashkëpunim të ngushtë me institucionet përkatëse. Qytetarët do të informohen pa vonesë sapo të publikohen rezultatet zyrtare.