Udhëheqësit talibanë mblidhen pasi ShBA-ja thotë se e vrau kreun e Al-Qaeda-s
Udhëheqësit më të lartë të talibanëve janë duke zhvilluar diskutime të mërkurën për atë se si t’i kundërpërgjigjen sulmit amerikan me dron në Kabul, për të cilin Shtetet e Bashkuara thanë se e vrau udhëheqësin e Al-Qaeda-s, Ayman al-Zawahiri, thanë tri burime në këtë grup.
Shtetet e Bashkuara e vranë Zawahirin me një raketë të hedhur nga një dron përderisa ai po qëndronte në një ballkon në shtëpinë e tij në Kabul të dielën, thanë zyrtarët amerikanë. Kjo ishte goditja më e rëndë ndaj militantëve që nga vrasja e Osama bin Ladenit para më shumë se një dekade.
Talibanët nuk e kanë konfirmuar vdekjen e Zawahirit. Zyrtarët e grupit fillimisht e konfirmuan sulmin me dron, por thanë se shtëpia e goditur ishte bosh.
“Ka takime në nivel shumë të lartë për atë nëse ata duhet të reagojnë ndaj sulmit me dron dhe, në rast se vendosin që ta bëjnë këtë, atëherë cila është mënyra e duhur”, tha një udhëheqës taliban me post të rëndësishëm.
Sipas zyrtarit që refuzoi të identifikohej, ka pasur diskutime të gjata për dy ditë. Ai nuk konfirmoi që Zawahiri ndodhej në shtëpinë e goditur me raketë.