Udhëheqësit e Turqisë e Izraelit në takimin e parë që nga viti 2008 - NACIONALE

Udhëheqësit e Turqisë e Izraelit në takimin e parë që nga viti 2008

6 ditë më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Izraelit, Yair Lapid, dhe presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, u takuan në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të martën për herë të parë për bisedime sy më sy mes udhëheqësve të vendeve aleate të ShBA-së që nga viti 2008, tha zyra e kryeministrit izraelit.

Raportet Izrael – Turqi, të ftohta për një kohë të gjatë për shkak të qëndrimeve të ndryshme për kauzën palestineze, janë ngrohur në muajt e fundit. Energjia është bërë fushë kyçe e bashkëpunimit. Këto vende pritet që t’i shkëmbejnë ambasadorët së shpejti.

Përpos diskutimit të energjisë, kryeministri izraelit e falënderoi presidentin turk për ndarjen e të dhënave inteligjente dhe e theksoi kërkesën e Izraelit për kthimin e katër qytetarëve të tij – dy prej tyre ushtarë – që janë zhdukur në Rripin e Gazës që nga lufta e vitit 2014, tha zyra e Lapid-it.

Turqia, anëtare e NATO-s, ka strehuar anëtarë të lëvizjes palestineze, Hamas, që e qeveris Gazën dhe që konsiderohet grup terrorist nga një pjesë e madhe e vendeve perëndimore. Kjo marrëdhënie shpesh është bërë pengesë për rindërtimin e raporteve me Izraelin.

Në anën tjetër, Turqia është zemëruar nga vrasja e dhjetë aktivistëve turq gjatë përleshjeve të vitit 2010, kur forcat detare izraelite sulmuan një anije që po mundohej ta thyente bllokadën detare të Izraelit ndaj Gazës./Nacionale

Lajme të ngjashme