U raportua se NjSI-së i është marrë "kompetenca për luftimin e terrorizmit", policia del me një "sqarim"
Mediumi Albanian Post raportoi gjatë ditës duke u thirrur në burime të veta se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka "zhveshur nga kompetenca për luftim të terrorizmin” Njësitin Special Intervenues; derisa shtonin se "kanë mësuar nga burime brenda policisë” se kjo kompetencë – luftimi i terrorizmit – i është bartur “një tjetër njësie të pa trajnuar në formë adekuate për t’u marrë me terrorizëm”. Krejt kjo, sipas mediumit, si “hakmarrje” ndaj pakënaqësisë së NjSI-së me mospërmbushjen e kërkesave të tyre, gjë për çka edhe dy herë rradhazi protestuan para qeverisë kosovare.
Policia e Kosovës ka dalë me “sqarim” në faqen e tyre në Facebook, me çka duket se provojnë të demantojnë raportimin por pa e demantuar qartë dhe në gjuhë të prerë: si të vërtetë ose të pavërtetë.
Megjithatë, lexojeni për vete njoftimin e policisë:
Prishtinë, më 11 janar 2024
Policia e Kosovës (PK), me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik, përmes këtij njoftimi zyrtar duke iu referuar disa shkrimeve të publikuara në media/portale të ndryshme, ku thuhet se kinse Qeveria e RKS-së, i heq disa nga kompetencat e Njësisë Speciale Intervenuese të PK-së, informon dhe sqaron se;
Të gjitha autorizimet policore janë të përcaktuara me ligj dhe akte tjera normative të cilat në vija të përgjithshme përshkruajnë organizimin dhe strukturimin e brendshëm policorë, përderisa detyrat specifike të punonjësve sipas pozitave, përshirë Drejtorinë e Njësisë Speciale Intervenuese, janë të rregulluara me përshkrim të detyrave dhe përgjegjësive të vendit të punës, autorizime dhe detyra këto të cilat kanë qenë dhe mbesin të pa ndryshuara.
Për më shumë, bazuar në strukturën organizative të Policisë së Kosovës e ndryshuar dhe miratuar vitin e kaluar, njësive speciale i është kushtuar rëndësi e veçantë, duke i ngritur nga siç ka qenë Divizion i Njësive Speciale, tani në Departament të Njësive Speciale, përfshirë këtu edhe avancimin e NJSI-së nga Njësi në nivel të Drejtorisë.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, në interes të zhvillimit, avancimi dhe ngritjes profesionale të të gjitha njësive policore, me qëllim të shërbimit ndaj qytetarëve dhe vendit.