Twitter ua bllokon llogaritë deptuetëve të partisë së Vuçiqit - NACIONALE

Twitter ua bllokon llogaritë deptuetëve të partisë së Vuçiqit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kompania Twitter ka pezulluar llogaritë e disa deputetëve dhe politikanëve të Partisë Përparimtare Serbe, e cila është në pushtet në Serbi, dhe të një zyrtari qeveritar.

Në mesin e personave që u është pezulluar llogaria në rrjetin social Twitter është edhe Arno Gujon, drejtor i Drejtorisë për bashkëpunim me diasporën dhe serbët në rajon, i cili është emëruar në këtë pozitë më 2020 nga Qeveria e Serbisë.

“Twitter sapo pezulloi llogarinë time ku kisha 34.000 ndjekës, pa dhënë asnjë shpjegim”, tha Gujon përmes një postimi në Facebook, transmeton Evropa e Lirë

Edhe pse Gujon është i njohur për publikun në Serbi si një humanist që ndihmon serbët në Kosovë, aktiviteti i tij politik është i lidhur me lëvizjen identitare të ekstremit të djathtë.

Twitter pezulloi llogaritë e 12 anëtarëve të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), të presidentit aktual, Aleksandar Vuçiq.

Në mesin e llogarive të pezulluara është edhe llogaria e organizatës joqeveritare CRTA që monitoron punën e Kuvendit. Në mesin e personave që u janë pezulluar llogaritë në Twitter janë: Nevena Gjuriq, Sandra Bozhiq, Milica Nikoliq, Jelena Obradoviq, Aleksandar Markoviq, Kërsta Janjusheviq, Dushan Radojeviq, Jelena Zhariq-Kovaçeviq, Aleksandra Tomiq, Stasha Stojanoviq, Zoran Tomiq dhe Andrijana Vasiq.

Kompania Twitter po ashtu pezulloi llogaritë e disa anëtarëve të lartë të SNS-së, përfshirë edhe kryetarit të qytetit të Beogradit, Miroslav Çuçkoviq, si dhe Slavisha Miçanoviqit, që sipas mediave udhëheq ekipin për media të SNS-së.

Kompania Twitter nuk ka komentuar menjëherë lidhur me pezullimin e llogarive të zyrtarëve serbë. /REL

Lajme të ngjashme