Twitter-i ua pezullon llogaritë disa gazetarëve që raportojnë për Elon Musk-un
Rrjeti i njohur social, Twitter, ua ka pezulluar llogaritë disa gazetarëve të njohur që raportojnë zakonisht për këtë kompani dhe për shefin e saj të ri, miliarderin Elon Musk.
Në mesin e atyre që u janë pezulluar llogaritë pa paralajmërim ose sqarim janë Matt Binder i “Mashable”-s, Donie O’Sullivan i televizionit CNN, Ryan Mac i gazetës “The New York Times”, Drew Harwell i gazetës “The Washington Post” e gazetari i pavarur, Aaron Rupar, shkruan "Anadolu", përcjell gazeta "Nacionale".
Të mërkurën, ky rrjet pezulloi një llogari të popullarizuar, “ElonJet”, që e përcillte lëvizjen e aeroplanit privat të miliarderit amerikan.
Twitter-i ia pezulloi llogarinë edhe platformës “Mastodon”, e cila është parë si alternativë e mundshme pas blerjes së rrjetit të famshëm nga Musk-u.
Rrjeti ua pezulloi llogaritë edhe disa gazetarëve që e shpërndanë lajmin për pezullimin e llogarisë së “Mastodon”-it.
Në fillim të nëntorit, pak kohë pasi e mori nën kontroll kompaninë, Musk-u e kishte nënvizuar përkushtimin e tij ndaj lirisë së të shprehurit, duke e përmendur edhe mosndalimin e llogarisë që e përcjell aeroplanin e tij.