Trumpi zotohet për hetim ndaj BE-së për gjobat ndaj kompanive amerikane - NACIONALE

Trumpi zotohet për hetim ndaj BE-së për gjobat ndaj kompanive amerikane

2 orë më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se vendi i tij do të nisë një hetim ndaj Bashkimit Evropian dhe kërcënoi me një taksë të re për shkak të gjobave që u janë shqiptuar disa prej kompanive më të mëdha amerikane të teknologjisë.

Kërcënimi i presidentit amerikan vjen disa ditë pasi Komisioni Evropian e gjobiti gjigantin “Google” me 890 milionë euro për operim në një mënyrë që i nxirrte nga loja konkurrentët për shërbimet e saj, raporton televizioni BBC.

Në një shkrim të publikuar në rrjetin “Truth Social”, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se BE-ja do të paguajë një “çmim shumë të madh” për atë se si e ka trajtuar kompaninë “Google”, bashkë me kompani tjera të mëdha amerikane të fushës së teknologjisë, “Apple”, “Meta” dhe “Amazon”, të cilat gjithashtu janë hetuar.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë derr [arkë] i kursimeve për Evropën e as nuk do të lejojmë që të jenë” – paralajmëroi ai.

Trumpi më tej tha se secila gjobë duhet “të zhbëhet tërësisht” dhe se ai do të nisë një hetim tregtar të BE-së, ndërkohë duke shqyrtuar edhe “një taksë substanciale”.

Ai shtoi se ShBA-ja “menjëherë do të nisë një hetim [sipas nenit] 301” rreth praktikës së pretenduar të rregullatorëve evropianë për “plaçkitjen e kompanive amerikane dhe, rrjedhimisht, taksapaguesit amerikan”.

Neni 301 i Aktit të Tregtisë, legjislacion i vitit 1974, ia jep Zyrës së Përfaqësuesit Tregtar të Shteteve të Bashkuara kompetencën për të reaguar dhe për të hetuar praktika tregtare që besohet se janë të padrejta. Administrata e dytë e Trumpit ka filluar disa hetime të tilla nga viti i kaluar e deri më tani.

Lajme të ngjashme