Trumpi u vendos taksë 25 për qind veturave që importohen në ShBA
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar taksë të re prej 25 për qind ndaj veturave dhe pjesëve të tyre që vijnë nga vendet e huaja. Ky vendim rrezikon që ta zgjerojë luftën tregtare globale.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se taksa e re ndaj veturave të importuara do të hyjë në fuqi më 2 prill, ndërsa sa u përket pjesëve të tyre, masa e re do të zbatohet nga maji ose më vonë, raporton televizioni BBC.
Trumpi pretendoi se kjo masë do të çojë në “rritje të pamasë” të industrisë amerikane të veturave, duke premtuar se taksa e re do të rezultojë në vende pune e investime në ShBA.
Megjithatë, analistët kanë thënë se taksa e re me gjasë do të çojë në ndërprerje të përkohshme të prodhimit të veturave në ShBA, do të shkaktojë rritje të çmimeve dhe do t’i tensionojë marrëdhëniet me aleatët.
Shtetet e Bashkuara importuar rreth tetë milionë vetura vitin e kaluar, duke përbërë 240 miliardë dollarë tregti dhe përafërsisht gjysmën e shitjeve.
Meksika është furnizuesja kryesore e Shteteve të Bashkuara me vetura, e pasuar nga Koreja e Jugut, Japonia, Kanadaja e Gjermania. Lëvizja më e re e Trumpit rrezikon që t’i përmbysë tregtinë globale të veturave dhe zinxhirët furnizues.
Shumë kompani amerikane të veturave operojnë edhe në Meksikë e Kanada, të themeluara sipas kushteve të marrëveshjes së vjetër për tregti të lirë mes tri vendeve.
Shtëpia e Bardhë tha se taksat e reja nuk do të vlejnë vetëm për veturat e përfunduara, por edhe për pjesët e tyre, të cilat shpesh importohen nga vende të huaja para se të montohen në ShBA./Nacionale