Trumpi thotë se planifikon ta emërojë Bordin e Paqes të Gazës në fillim të vitit tjetër
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të mërkurën se në fillim të vitit të ardhshëm duhet të jepet njoftimi për atë se cilët udhëheqës botërorë do të shërbejnë në Bordin e Paqes të Gazës.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha para gazetarëve gjatë një ngjarjeje ekonomike në Dhomën “Roosevelt” se një varg udhëheqësish duan që të jenë pjesë e këtij bordi, i cili u themelua si pjesë e një plani për Gazën që solli një armëpushim të brishtë mes Izraelit dhe Hamasit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Trumpi tha se “mbretërit, presidentët, kryeministrat – ata të gjithë duan që të jenë në Bordin e Paqes”. Sipas tij, njoftimi për përbërjen e bordit duhet të bëhet në vitin e ri.
“Ai do të jetë prej bordeve më legjendare ndonjëherë. Secili dëshiron të jetë në të” – tha më tej presidenti amerikan.
Bordi i Paqes u autorizua me një rezolutë të miratuar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 17 nëntor. Shtetet që punojnë për të janë të autorizuara që të ndërtojnë një forcë të përkohshme ndërkombëtare të stabilizimit në Gaza.
Rezoluta, e hartuar nga ShBA-ja, e përshkruan Bordin e Paqes si një administratë kalimtare “që do ta caktojë kornizën dhe do ta bashkërendojë financimin për rizhvillimin e Gazës” në vijë me planin 20-pikësh të Trumpit për paqen.