Trumpi thotë se mund të ketë sulme të reja amerikane në Nigeri - NACIONALE

Trumpi thotë se mund të ketë sulme të reja amerikane në Nigeri

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se mund të ketë sulme të reja nga forcat amerikane në Nigeri, nëse të krishterët vriten në këtë shtet afrikan, edhe pse Nigeria më parë ka mohuar se të krishterët janë subjekt i përndjekjes sistematike.

Trumpi e bëri këtë koment, kur u pyet për sulmin ushtarak të forcave amerikane ditën e Krishtlindjeve në Nigeri. Ushtria amerikane kishte thënë atë kohë se kreu një sulm kundër militantëve të ISIS-it në pjesën veriperëndimore të Nigerisë me kërkesë të qeverisë së këtij vendi, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Nigeria tha më pas se sulmi ishte një “operacion i përbashkët” që në shënjestër kishte “terroristë” dhe “nuk kishte të bënte asgjë me një fe të caktuar”.

“Do të doja që ta bëja sulm të njëhershëm… por nëse ata vazhdojnë që të vrasin të krishterë, do të jetë sulm i shumëhershëm” – paralajmëroi presidenti amerikan.

Kur u pyet për vetë fjalët e këshilltarit të tij për Afrikën, i cili ka thënë se militantët e ISIS-it dhe Boko Haramit po vrisnin më shumë myslimanë se të krishterë, Trumpi u përgjigj: “Mendoj se edhe myslimanët janë duke u vrarë në Nigeri, por janë kryesisht të krishterët [që po vriten].”

Në fund të tetorit të vitit të kaluar, presidenti amerikan kishte filluar që të paralajmëronte se të krishterët ballafaqoheshin me një “kërcënim ekzistencial” në Nigeri dhe kishte kërcënuar me ndërhyrje ushtarake në shtetin afrikan për atë që ai e cilëson si dështim për ta ndalur dhunën që në shënjestër e ka komunitetin e krishterë.

Popullsia prej më shumë se 230 milionë njerëzish e Nigerisë është e ndarë në dy pjesë pothuajse të barabarta sa i përket besimit. Të krishterët mbizotërojnë në pjesën jugore, ndërsa myslimanët në veri.

Lajme të ngjashme