Trumpi thotë se Kina është pajtuar që të blejë 200 aeroplanë “Boeing”
Kina është pajtuar që të porosisë 200 aeroplanë nga prodhuesi “Boeing”, tha të enjten presidenti amerikan në një intervistë për televizionin “Fox News”, duke e shënuar blerjen e parë të aeroplanëve komercialë amerikanë nga fuqia aziatike e botërore në gati një dekadë.
Pak hollësi për marrëveshjen ishin menjëherë në dispozicion, por vlera e aksioneve të “Boeing”-ut ra për më shumë se 4 për qind pas transmetimit të komenteve të Trumpit. Numri i përgjithshëm ishte shumë më i ulët se ai që është përmendur në raportime të mediave, ku thuhej se prodhuesi amerikan po i afrohej një marrrëveshjeje për t’i shitur Kinës 500 ose më shumë aeroplanë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment në lidhje me atë nëse Trumpi po i referohej tërë porosisë në kompaninë “Boeing” apo vetëm aeroplanëve me trup të ngushtë apo atyre me trup të gjerë. Vetë prodhuesi nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Sekretari i Thesarit i ShBA-së, Scott Bessent, kishte thënë më herët se priste një njoftim për një porosi të madhe në “Boeing” gjatë vizitës së Trumpit në Pekin, gjatë së cilës ai zhvilloi bisedime me homologun kinez, Xi Jinping.
“Një gjë për të cilën ai u pajtua sot, ai do të porosisë 200 aeroplanë... “Boeing”-u deshi 150, i siguruan 200” – citohet të ketë thënë kreu i Shtëpisë së Bardhë, duke iu referuar Jinpingut.