Trumpi thotë se Izraeli është “shumë i lumtur” me paktin për çarmatosjen e Hamasit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të premten se Izraeli është “shumë i lumtur” me marrëveshjen e arritur nga Bordi i Paqes për çarmatosjen e plotë të Hamasit dhe të grupeve të tjera të armatosura palestineze në Gaza.
“Ne kemi mirëkuptim me Izraelin. Izraeli është shumë i lumtur me atë [marrëveshjen]. Izraeli na ndihmoi dhe kanë qenë shumë të mirë. A do të kalojë [marrëveshja] nëpër baticat e zbaticat e veta? Atje është një situatë shumë komplekse” – deklaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Trumpi e cilësoi si hap të madh marrëveshjen e re, duke thënë se askush nuk kishte menduar se do të ishte e mundshme që të çarmatosej Hamasi, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Është hap i madh për Lindjen e Mesme dhe njerëzit janë vërtet të ngazëllyer dhe të befasuar me të [marrëveshjen]” – shtoi presidenti amerikan.
Të enjten, ai këtë pakt e quajti “hap i madh në zbatimin e Planit 20-Pikësh të Trumpit” për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Gaza.
Trumpi gjithashtu tha se marrëveshja do të zbatohet në faza, me tërheqjen e forcave izraelite e me fillimin e çarmatosjes së grupeve palestineze, ndërsa Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit do të punojë me një forcë të re policore palestineze për sigurinë në enklavë.