Trumpi thotë se do t’i godasë me taksa të reja Kanadanë, Kinën dhe Meksikën - NACIONALE

Trumpi thotë se do t’i godasë me taksa të reja Kanadanë, Kinën dhe Meksikën

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se do t’i godasë me taksa të reja që nga dita e parë e tij në pushtet Kinën, Kanadanë dhe Meksikën, në një përpjekje për t’i detyruar këto shtete që t’i luftojnë imigrantët ilegalë dhe trafikimin e drogës drejt ShBA-së.

Republikani tha se menjëherë pas inaugurimit të tij më 20 janar, ai do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv me të cilin do t’u vendoset taksë prej 25 për qind të gjitha mallrave nga Meksika dhe Kanadaja, raporton televizioni BBC.

Ai gjithashtu tha se një taksë shtesë prej 10 për qind do t’i vendoset Kinës derisa autoritetet qeveritare atje ta bllokojnë trafikimin e drogës sintetike fentanil.

Nëse Trumpi e mban këtë zotim, ky do të ishte përshkallëzim i konsiderueshëm i tensioneve me tre partnerët më të mëdhenj tregtarë të Shteteve të Bashkuara.

Në një shkrim të publikuar në rrjetin “Truth Social”, Trumpi tha se taksat ndaj Meksikës dhe Kanadasë do të mbeten në fuqi derisa këto dy vende t’i luftojnë drogat, në veçanti fentanilin, dhe imigrantët që e kalojnë ilegalisht kufirin.

“Edhe Meksika, edhe Kanadaja i kanë të drejtën dhe fuqinë absolute për ta zgjidhur lehtësisht këtë problem që po valon për kohë të gjatë. Është koha që ato të paguajnë një çmim shumë të madh” – shkroi ai.

Në një shkrim tjetër, Trumpi e akuzoi Pekinin se ka dështuar që t’i përmbushë premtimet për të cilat ai tha se zyrtarët kinezë i kishin bërë – që ta zbatonin dënimin me vdekje ndaj personave që kapen duke u marrë me fentanil.

Administrata e presidentit në largim, Joe Biden, ka qenë duke i bërë thirrje Kinës që të bëjë më shumë për ta ndalur prodhimin e përbërësve që përdoren në fentanil, drogë për të cilën Uashingtoni vlerëson se ka lënë të vdekur gati 75 mijë amerikanë vitin e kaluar./Nacionale

Lajme të ngjashme