Trumpi thotë se do të ndërmarrë masa ligjore kundër BBC-së
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se do të ndërmarrë masa ligjore kundër televizionit publik britanik, BBC, për shkak të redaktimit të një fjalimi nga programi “Panorama”, edhe pse mediumi i kërkoi falje, por refuzoi që t’i ofronte dëmshpërblim.
Duke folur para gazetarëve gjatë fluturimit me aeroplanin zyrtar “Air Force One” të premten në mbrëmje, Trumpi tha: “Ne do t’i padisim ata për një shumë prej 1 deri në 5 miliardë dollarësh, ndoshta në një pikë kohore javën e ardhshme.”
Të enjten, BBC-ja tha se redaktimi i fjalimit që Trumpi e kishte mbajtur më 6 janar 2021 e ikishte dhënë pa qëllim “përshtypjen e gabuar se presidenti Trump kishte bërë thirrje të drejtpërdrejtë për veprim të dhunshëm” dhe se dokumentari nuk do të transmetohej më.
Televizioni i kërkoi falje presidentit amerikan, por tha se nuk do t’i paguante dëmshpërblim financiar, raporton vetë BBC-ja.
BBC-ja e lëshoi deklaratën pasi avokatët e Trumpit e kishin kërcënuar me padi me kërkesë dëmshpërblimi prej 1 miliard dollarësh, nëse televizioni nuk do ta tërhiqte dokumentarin, nëse nuk do të kërkonte falje dhe nëse nuk do t’i paguante presidentit dëmshpërblim.