Trumpi mbërrin në Egjipt, e lavdëron presidentin Sisi për marrëveshjen për Gazën
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka arritur në Egjipt, ku do të marrë pjesë në një samit për të ardhmen e Gazës, pasi fillimisht e vizitoi Izraelin për ta festuar arritjen e marrëveshjes së armëpushimit me Hamasin.
Trumpi e lavdëroi të hënën homologun egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi, në lidhje me punën për arritjen e marrëveshjes, shkruan gazeta “The Guardian”.
“Ai luajti një rol shumë të rëndësishëm. E çmoj shumë këtë” – tha presidentin amerikan për homologun e tij, të cilin e përshkroi si lider të fuqishëm që e mban në nivel të ulët krimin në shtetin afrikan.
Sisi të hënën zhvilloi takime edhe me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, dhe me atë të Turqisë, Rexhep Erdoan, si dhe me emirin e Katarit e udhëheqës të tjerë për t’u bashkërenduar rreth zbatimit të armëpushimit në Gaza dhe përpjekjeve për rindërtimin e enklavës, sipas një deklarate të lëshuar nga zyra presidenciale e Egjiptit.
Takimi u zhvillua në margjina të samitit ndërkombëtar që po mbahet në Sharm el-Sheikh të Egjiptit për finalizimin e një marrëveshjeje me të cilën synohet që t’i jepet fund luftës në Gaza.
Ndërkohë, raportohet se Hamasi ka filluar që të dislokojë policë dhe luftëtarë të armatosura në pjesë të ndryshme të Gazës në atë që duket si përpjekje për rivendosjen e autoritetit në territorin e shkatërruar nga lufta pas armëpushimit të arritur javën e kaluar.