Trumpi godet dhjetëra shtete me taksa të larta - NACIONALE

Trumpi godet dhjetëra shtete me taksa të larta

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u vendosi taksa të larta eksporteve të dhjetëra vendeve, përfshirë Kanadanë, Brazilin, Indinë dhe Tajvanin, duke i çuar përpara planet e tij për rend të ri ekonomik global para një afati të së premtes për arritjen e marrëveshjeve tregtare.

Trumpi vendosi taksa përfshirë 35 për qind ndaj mallrave të Kanadasë, 50 për qind ndaj atyre të Brazilit, 25 për qind për Indinë, 20 për qind për Tajvanin dhe 39 për qind për Zvicrën, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në urdhrin ekzekutiv ka shkallë taksash nga 10 deri në 41 për qind për 69 partnerë tregtarë. Mallrave nga Serbia u është vendosur taksë prej 35 për qind.

Mallrat e të gjitha shteteve të tjera që nuk ndodhen në listë do të taksohen me 10 për qind për importin në ShBA. Trumpi kishte thënë më parë se kjo shkallë mund të ishte më e lartë.

Administrata e Trumpit gjithashtu ka thënë se marrëveshje të reja tregtare janë rrugës për t’u arritur, në kohën kur ShBA-ja po mundohet që ta zvogëlojë deficitin dhe ta shtojë prodhimin vendës.

Në urdhrin e Trumpit thuhet se disa partner tregtarë, “pavarësisht se janë përfshirë në bisedime, kanë ofruar kushte që, sipas gjykimit tim, nuk i adresojnë mjaftueshëm mosbalancimet në marrëdhënien tonë tregtare ose kanë dështuar që të rreshtohen mjaftueshëm me Shtetet e Bashkuara në çështje ekonomike dhe të sigurisë kombëtare”.

Hollësi të tjera pritet të dalin më vonë, përfshirë ato rreth “rregullave të prejardhjes” që do të përcaktojnë se cilat produkte mund të ballafaqohen me taksa edhe më të larta.

Presidenti amerikan tha gjithashtu se “ne kemi bërë disa marrëveshje sot që janë marrëveshje të shkëlqyeshme për vendin” dhe një zyrtar amerikan iu tha reporterëve më onë se ato ende nuk janë njoftuar./Nacionale

Lajme të ngjashme