Trumpi e shpërfill seancën në gjykatë për të marrë pjesë në funeralin e vjehrrës
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, dhe bashkëshortja e tij, Melania, morën pjesë në funeralin privat të nënës së saj në Florida.
Zonja Trump e kishte njoftuar vdekjen e nënës, Amalija Knavs, në moshën 78-vjeçare më herët këtë muaj. Ajo tha disa fjalë në ceremoni, duke e përshkruar nënën e vet si “një rreze drite në ditët më të errëta”, raporton televizioni BBC.
Kandidati për president, miliarderi Trump, shpërfilli një seancë të gjykatës në rastin e tij për shpifje në Nju-Jork për të marrë pjesë në funeral, pasi gjykatësi refuzoi që ta shtyonte seancën për një ditë.
“Në praninë e saj, bota dukej se vezullonte me rrezatim e hare. Lidhja jonë ishte e pathyeshme”- tha zonja Trump në funeralin e nënës.
Tashmë e ndjera Knavs dhe bashkëshorti i saj, Viktori, ishin bërë shtetas të ShBA-së më 2018, pasi kishin jetuar në këtë shtet me karta të gjelbra, të sponsorizuara nga bija e tyre. Ata arritën që të përfitonin nga procesi i ribashkimit familjar me viza që presidenti i atëhershëm, Trumpi, e kishte quajtur “migrim zinxhir” që duhej të shfuqizohej.
Zonja Knavs kishte punuar në një fabrikë tekstili në qytezën sllovene, Sevnica, ndërsa Viktori ishte shitës i veturave.
Zonja Trump e ka kryer shkollën e mesme në kryeqytetin slloven, Ljublanë. Ajo u njoh me Donald Trumpin në vitin 1998 si modele. Atyre u lindi një djalë në vitin 2006 – në vitin kur ajo u bë shtetase e ShBA-së./Nacionale