Trump uron Osmanin për 18-vjetorin e Pavarësisë: Mbështesim fuqishëm sovranitetin e Kosovës - NACIONALE

Trump uron Osmanin për 18-vjetorin e Pavarësisë: Mbështesim fuqishëm sovranitetin e Kosovës

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar letër urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Në mesazhin e tij, Trump ka përgëzuar popullin e Kosovës për këtë përvjetor të rëndësishëm, duke rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

Ai ka shprehur gatishmërinë për zgjerimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve, veçanërisht përmes rritjes së tregtisë dhe investimeve, me synim avancimin e prosperitetit të përbashkët. Po ashtu, ka theksuar se SHBA-të janë të gatshme të punojnë krah Kosovës për avancimin e paqes dhe stabilitetit në dobi të ndërsjellë.

Trump ka falënderuar Presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës për mbështetjen ndaj përpjekjeve amerikane për paqe, si dhe ka mirëpritur Kosovën si anëtare themeluese të Bordit të Paqes, i cili synon të kontribuojë për një botë më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë.

Në fund të letrës, Presidenti amerikan ka shprehur besimin se bashkëpunimi dhe partneriteti ndërmjet dy shteteve do të forcohen edhe më tej në të ardhmen.

Lajme të ngjashme