Trump: Ndryshimi i pushtetit në Iran do të ishte gjëja më e mirë që do të mund të ndodhte - NACIONALE

Trump: Ndryshimi i pushtetit në Iran do të ishte gjëja më e mirë që do të mund të ndodhte

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të premten se ndryshimi i pushtetit në Iran “do të ishte gjëja më e mirë që do të mund të ndodhte”, në kohën kur administrata amerikane po e shqyrton mundësinë për të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Teheranit apo jo.

Trumpi i bëri këto komente pak pas vizitës së trupave amerikane në Karolinën e Veriut dhe pasi konfirmoi më herët gjatë ditës se do të dislokonte edhe një aeroplanmbajtëse tjetër në Lindjen e Mesme, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

“Duket se kjo do të ishte gjëja më e mirë që do të mund të ndodhte” – tha Trumpi gjatë komunikimit me gazetarë, kur u pyet për përpjekjet që të rrëzohet pushteti i klerikëve në Iran.

Presidenti ka lënë të kuptohet në javët e fundit se prioriteti i tij kryesor është që Irani ta kufizojë më tej programin e vet bërthamor, por të premten sugjeroi se kjo është vetëm njëra nga koncesionet që Uashingtoni i kërkon nga Teherani.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili këtë javë e vizitoi Uashingtonin për bisedime me Trumpin, ka bërë thirrje që në çfarëdo marrëveshjeje të përfshihen edhe hapa për neutralizimin e programit iranian për raketa balistike dhe për t’i dhënë fund mbështetjes për grupet si Hamasi e Hezbollahu.

Lajme të ngjashme