Trump kritikohet për një imazh të krijuar nga AI ku paraqitet si Papë
Presidenti Donald Trump publikoi një imazh të gjeneruar nga inteligjenca artificiale ku ai shfaqet i veshur si papë, ndërkohë që vazhdon zija për Papa Françeskun dhe vetëm disa ditë para se të nisë konklavi për të zgjedhur pasuesin e tij. Veprimi i Trump-it ka shkaktuar reagime të ashpra nga një grup që përfaqëson ipeshkvijtë katolikë në Nju Jork dhe ka shkaktuar zemërim edhe në mesin e italianëve.
Imazhi, i shpërndarë të premten në mbrëmje në platformën Truth Social të Trump-it dhe më pas i rishpërndarë nga Shtëpia e Bardhë në llogarinë e saj zyrtare në X, ka tërhequr vëmendje dhe kritika në rrjetet sociale dhe në Vatikan, i cili ndodhet ende në periudhën zyrtare nëntëditore të zisë pas vdekjes së Françeskut më 21 prill. Kardinalët katolikë kanë kremtuar çdo ditë meshë për nder të tij dhe pritet që të mërkurën të hapin konklavin për të zgjedhur pasuesin e ri.
Imazhi që paraqet Trump-in me një rrobë të bardhë dhe një mitër të mprehtë, ose kapelë ipeshkvi, ishte temë e disa pyetjeve gjatë konferencës së përditshme të Vatikanit për konklavin, të shtunën. Mediat italiane dhe spanjolle e quajtën të papërshtatshëm dhe thanë se ishte ofendues, duke qenë se periudha zyrtare e zisë është ende në zhvillim.
