Tri tentim-vrasje brenda 24 orëve të fundit, policia jep detaje
Policia e Kosovës ka bërë me dije se brenda 24 orëve të fundit ka ndodhur tri tentimvrasje në Kosovë.
Në raportin 24 orësh, policia ka treguar se këto raste kanë ndodhur në Gjakovë, Pejë dhe Gjilan.
“Pas një mosmarrëveshje në mes dy familjeve, i dyshuari mashkull kosovar ka qëlluar me armë zjarri viktimën mashkull kosovar duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima është dërguar në Spitalin Rajonal Gjakovë për tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dy gëzhoja ndërsa gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar: dy pistoleta me 12 copë fishekë, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, është thënë në raportin e policisë.
Në Pejë tentimvrasja ka ndodhur me thikë.
“Rr. Adem Jashari, Pejë 20.12.2024, 13:00. Vrasje e mbetur në tentativë. Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se ishte sulmuar fizikisht me mjet të mprehtë (thikë) nga tre të dyshuar meshkuj kosovarë dhe më pas të njëjtit janë larguar në drejtim të panjohur. Viktima është dërguar për tretman mjekësor dhe më pas është liruar në shtëpi, ndërsa dy nga të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, kurse i dyshuari i tretë ndodhet në arrati”, është thënë në raport.
Në raport policia ka dhënë detaje dhe për një rast në Gjilan.
“Gjilan 20.12.2024, 22:40. Tentim vrasje. Është raportuar se është sulmuar fizikisht nga disa persona të dyshuar viktima mashkull kosovar. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një armë pistoletë me gjashtë fishekë e cila nuk është përdorur, si dhe një shkop i drurit i thyer me të cilën dyshohet se është goditur viktima. Viktima është dërguar për tretman mjekësor në emergjencë Gjilan dhe më pas është dërguar në QKUK Prishtinë. Rasti nën hetime”, ka bërë me dije policia.