“Trepça” ua pezullon minatorëve pushimet vjetore, shpall gjendje të jashtëzakonshme
Menaxhmenti i ndërmarrjes publike “Trepça”, që është bërë qendër e problemeve, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Përmes kësaj gjendje të jashtëzakonshme, “Trepça” ua ka pezulluar minatorëve pushimet e planifikuara për shtator, tetor dhe nëntor.
Në këtë vendim, të siguruar nga Kallxo, është paraparë realizimi i planit të biznesit, të humbur gjatë ditëve të grevës.
“Të shpallet gjendje e jashtëzakonshme për Njësinë Biznesore Minierat me Flotacion Trepça Stantërg si dhe njësinë Biznesore Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë për realizimin e planit të biznesit për sasinë e koncentratit të humbur për ditët e grevës; të realizohet plani i veprimit pasi kemi bërë zotim te aksioneri për realizimin e planit të veprimit për organizimin dhe subvencionimin sipas vendimit të Qeverisë; të pezullohen përkohësisht pushimet vjetore të planifikuara për muajt shtator, tetor dhe nëntor 2024” – thuhet në vendimin marrë më 26 gusht.