“Tregohuni të kujdeshëm me ta”: Qysh i mbronte të drejtat e Shqipërisë presidenti amerikan Wilson më 1919?
Woodrow Wilson, ish-president i 28-të i ShBA-së, njihet si një mik i popujve të vegjël, pasi mbrojti idenë e vetëvendosjes në Konferencën e Parisit në vitin 1919.
Ilir Ikonomi, gazetari i njohur shqiptar që jeton në ShBA, ka publikuar në profilin e tij një faksimilë të një telegram të rallë të ish-presidentit Wilson. Sipas gazetarit veteran, “përmbajtja e telegramit ka qenë pak a shumë e njohur, por tani kemi një fotografi të origjinalit”.
Ja çfarë shkruante për Shqipërinë, ish-presidenti amerikan:
“Desha që, përpara largimit, t’ju shpreh juve dhe kolegëve të tjerë, interesimin tim shumë të thellë për fatet e Shqipërisë. Kam frikë se mos në morinë e gjërave të tjera që mund të duken më të ngutshme dhe më të rëndësishme, nënvlerësohet vemendja që duhet t’u kushtohet atyre të drejtave. Ju lutem të tregoheni shumë të kujdesshëm sa u përket atyre”.