Tragjedi në Klinë: Dyshohet se sulmoi nënën dhe motrën, kjo e fundit vdes nga plagët - NACIONALE

Tragjedi në Klinë: Dyshohet se sulmoi nënën dhe motrën, kjo e fundit vdes nga plagët

2 orë më parë

nga NACIONALE

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Poterq të Klinës, ku një person dyshohet se ka sulmuar nënën dhe motrën e tij, duke i shkaktuar lëndime të rënda.

Sipas të dhënave të para, i dyshuari fillimisht dyshohet se i ka vënë zjarrin krevatit ku ndodhej motra e tij, ndërsa më pas ka sulmuar nënën me një mjet të fortë.

Të dyja viktimat janë dërguar fillimisht në Spitalin e Pejës dhe më pas në QKUK, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.

Policia është njoftuar se vajza nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra nga zjarri dhe ka ndërruar jetë.

Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar se i dyshuari është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit të shtetit.

“Personi i dyshuar me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë. Brenda afatit ligjor do të parashtrohet kërkesa për sigurimin e tij në procedurë penale. Për ndriçimin e këtij rasti janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML”, deklaroi Nikçi.

I dyshuari është vendosur në repartin e psikiatrisë në Spitalin Rajonal të Pejës, nën përkujdesje mjekësore dhe mbikëqyrje policore.

Lajme të ngjashme