Tomë Gashi: Astrit Dehari është goditur me boks hekuri, prokurori po i neglizhon hetimet
Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, ka njoftuar se nesër do të mbajë konferencë për media lidhur me rastin e vdekjes në rrethana të dyshimta në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari.
Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, Gashi ka shkruar se ka neglizhencë nga prokuroria sa i përket hetimeve për zbardhjen e rastit.
Avokati Gashi rikujtoi se ekspertiza shtesë e të njëjtit Institut Zviceran e Muajit Prill 2022, përveç se konfirmoi ekspertizën e vitit 2019 konstatoi se provat që janë dërguar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në këtë Institut kanë qenë krejtësisht të dëmtuara-manipuluara dhe përgjithësisht të papërdorshme.
“Prokurori zgjodhi rrugën e Heshtjes dhe për këtë arsye Prindërit e Astrit Deharit kanë kërkuar përjashtimin e Prokurorit Afrim Shefkiu nga Hetimi i Vrasjes së djalit të tyre Astrit Dehari”, ka shkruar Gashi, i cili thotë se nga prokurori ka kërkuar sqarime për plagët e shkaktuara në ballë, siç thotë Gashi me boks hekuri.
“Prokurorit te Rastit i jane bere dhjetera kerkesa ne te cilat ai nuk eshte pergjigjur asnjehere dhe njera prej tyre eshte qe te kerkoj sqarime nga ekspertet e mjekesis ligjore ne Prishtine lidhur me plaget e shkaktuara tek Astrit Dehari ne ballë e qe jane ne forma sferike-rrumbullaketa dhe qe kan largesi e diameter te njejte dhe sipas te gjitha rrethanave jane shkaktuar me goditje me boks te hekurit”, ka shkruar Gashi.