Tha se vajza e Rankoviçit ka marrë nënshtetësinë e Kosovës, MPB i reagon Daut Haradinajt
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) i ka reaguar ish-deputetit të AAK-së, Daut Haradinaj, lidhur me deklaratën e tij se vajza e Rankoviçit së fundi është bërë banore e Kosovës. MPB-ja e ka mohuar një gjë të tillë.
Haradinaj kishte shfaqur edhe disa dokumente, të cilat, sipas pretendimit të tij, shërbenin si dëshmi për këtë çështje.
“Ta ka pru çikën e Rankoviqit... Nuk iu kanë dhënë shtetësi banorëve të Luginës së Preshevës, e çika e Rankoviqit është banore e Kosovës. Mas pari, kujdes qysh e kanë parapa ata, jo ju. Në rrugën Armend Qymyri, prapa ETC-së numër katër, është e regjistruar, numri personal... Suzana Rankoviq. Kurrë kjo qytetare e Kosovës nuk ka qenë. Dhe tjetrin, gjeneral serb me dy yje, edhe më e rëndë, qe Bojoviq Millovan. Ka ndodhë më herët. Këto nuk lejohen. Nuk jam tu folë pse jam në Aleancë e pse është në VV”, kishte thënë Haradinaj në “Debat Plus”.
Milovan Bojoviç dhe Suzana Rankoviç kanë qenë posedues të letërnjoftimeve të Kosovës shumë vite më parë.
Postimi i MPB-së:
Reagim publik ndaj deklaratave të pasakta të ish-deputetit Daut Haradinaj
Ministria e Punëve të Brendshme, përmes këtij reagimi, dëshiron të informojë dhe sqarojë opinionin publik lidhur me deklarimet e pasakta të bëra nga ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), z. Daut Haradinaj, në emisionin “Debat Plus” në TV Dukagjini, në lidhje me dy persona nga komuniteti serb, për të cilët është pretenduar se Ministria e Punëve të Brendshme ua ka dhënë shtetësinë e Republikës së Kosovës.
MPB-ja sqaron se regjistrimi i shtetësisë së personave në fjalë nuk ka asnjë lidhje me Ligjin e ri për Shtetësinë dhe as me procesin aktual të regjistrimit të fakteve të gjendjes civile. Të dy personat janë regjistruar në regjistrat përkatës shumë vite më parë, respektivisht në vitet 2001 dhe 2007.
Sipas të dhënave zyrtare, Milovan Bojović është regjistruar për herë të parë në vitin 2007 dhe ka qenë posedues i dokumenteve identifikuese të UNMIK-ut. Letërnjoftimin e Republikës së Kosovës e ka marrë në vitin 2011. Që nga ajo kohë, ai nuk ka realizuar asnjë shërbim përmes sistemit të Gjendjes Civile.
Gjithashtu, vlen të theksohet se i njëjti është arrestuar nga Policia e Kosovës më 8 prill 2016. Fillimisht ndaj tij ishte caktuar masa e paraburgimit, mirëpo më pas Gjykata e Apelit kishte vendosur ndërprerjen e kësaj mase, duke mundësuar lirimin e tij. Pas lirimit, ai ishte larguar nga territori i Republikës së Kosovës nga Policia e Kosovës.
Sa i përket personit të dytë, Suzana Ranković, MPB-ja sqaron se ajo është qytetare e Republikës së Kosovës dhe nuk është vajza apo mbesa e Aleksandër Rankoviqit, siç është pretenduar në deklaratën e z. Haradinaj. Kjo qytetare ka poseduar letërnjoftim të UNMIK-ut që nga viti 2001, të cilin e ka konvertuar në letërnjoftim të Republikës së Kosovës në vitin 2015.
Ministria e Punëve të Brendshme u bën thirrje të gjithë akterëve publikë dhe politikë që, para se të bëjnë deklarime publike, të verifikojnë faktet dhe të shmangin përhapjen e informatave të pasakta, të cilat mund të dezinformojnë opinionin publik dhe të cenojnë besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore.
Ministria e Punëve të Brendshme mbetet e përkushtuar ndaj zbatimit të ligjit, transparencës institucionale dhe ofrimit të informacioneve të sakta për qytetarët e Republikës së Kosovës./Nacionale