Tetë të vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë
Tetë njerëz u vranë në pjesë të ndryshme të Ukrainës gjatë natës së kaluar dhe në mëngjesin e hershëm nga sulmet ruse, sipas zyrtarëve lokalë.
Në portin e Detit të Zi, Odesa, tre njerëz u vranë dhe tre të tjerë u lënduan nga një sulm “masiv” me dronë e raketa, tha kreu rajonal, Oleh Kiper. Kjo ishte dita e pesë që Rusia e goditi këtë rajon, raporton televizioni BBC.
Në qytetin verior, Sumy, tre njerëz u vranë dhe 17 të tjerë u lënduan nga bombat ajrore me drejtim, tha kryetari në detyrë, Artem Kobzar. Dy viktima të tjera u raportuan në rajonin Dnipropetrovsk dhe në Zaporizhzhia, në jug.
Ndërkohë, ushtria ukrainase tha se dronët e saj goditën 20 anije ruse, përfshirë 17 cisterna nafte, gjatë natës së kaluar në Detin e Zi.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë konfirmoi se e kishte sulmuar Odesën, duke thënë se qëllimisht e kishte vënë në shënjestër infrastrukturën e portit, “e shfrytëzuar për shkarkimin e benzinës, naftës dhe lubrifikantëve”.
Duke shkruar në rrjetin “Telegram”, Kiperi e akuzoi Rusinë se qëllimisht po e vë në shënjestër popullsinë civile dhe tha se disa banorë u vranë e ca të tjerë u plagosën, kur një raketë ruse goditi një ndërtesë shumëkatëshe të banimit.
Në një raport të publikuar të martën, Misioni Vëzhgues për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara në Ukrainë tha se të paktën 293 civilë u vranë dhe 1.900 të tjerë u plagosën në Ukrainë gjatë muajit qershor.