Tetë të vdekur e 18 të lënduar nga shpërthimi në një xhami në Siri - NACIONALE

Tetë të vdekur e 18 të lënduar nga shpërthimi në një xhami në Siri

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Një shpërthim la të vdekur të paktën tetë njerëz e la të lënduar 18 të tjerë gjatë lutjeve të së premtes brenda një xhamie në qytetin Homs të Sirisë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.

Në fotografitë e publikuara nga agjencia shtetërore siriane e lajmeve “Sana” shihet pjesa e brendshme e xhamisë “Ali ibn Abi Talib” me mure të zeza, dritare të thyera e xhak në dysheme, raporton televizioni BBC.

Zyrtarët besojnë se lënda shpërthyese u aktivizua brenda ndërtesës, raportoi agjencia “Sana”, duke cituar një burim të sigurisë. Përderisa autoritetet janë vënë në kërkim të autorëve, përgjegjësinë për sulmin e ka marrë grupi xhihadist “Saraya Ansar al-Sunnah”.

Xhamia ndodhet në lagjen Wadi al-Dhahab, ku shumica e banorëve i përkasin grupit etno-fetar alavit.

Ministria e Jashtme e Sirisë e dënoi atë që e quajti “krim terrorist”, duke shkruar në një deklaratë në rrjetin X se “akti frikacak është një sulm i hapur ndaj vlerave njerëzore dhe morale” dhe që e ka për qëllim “minimin e sigurisë dhe stabilitetit” të vendit.

Sulmi në xhami vjen një vit pasi forcat rebele siriane e rrëzuan nga pushteti ish-presidentin Bashar al-Assad, i cili i përket pikërisht pakicës alavite.

Lajme të ngjashme