Tërnava i drejtohet Kurtit: Vendimi është diskriminues, lejojeni shaminë në shkolla - NACIONALE

Tërnava i drejtohet Kurtit: Vendimi është diskriminues, lejojeni shaminë në shkolla

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Nga Bashkësia Islame po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës shfuqizimin e udhëzimit administrativ përmes së cilit që nga viti 2010 në shkollat e Kosovës ndalohet bartja e shamisë.

E këtë kërkesë po e bën kreu i BIK-ut Naim Tërnava. Ky i fundit i ka dërguar letër kryeministrit Albin Kurti. Nga ai ka kërkuar që ta lejojë përdorimin e shamisë në institucionet publike.

Sipas Tërnavës kjo kërkesë është e BIK dhe e besimtarëve myslimanë.

Kurti në të kaluarën kishte thënë se partia e tij nuk e ka në program ndalimin e mbulesës duke thënë se grave të moshës madhore u takon vetë të vendosin se a duhet të bartin shami a jo.

Përveç Kurtit, Tërnava ka kërkuar edhe nga MASHT që të veprojnë.

“Është kërkesë e kamotshme e Kryesisë së BIK-ut, institucioneve të saj dhe besimtarëve myslimanë që të shfuqizohet, respektivisht të hiqet e tëra pika 1.13 e nenin 3, në Udhëzimin Administrativ 06/2014, ngase është diskriminuese, dhe si e tillë në disa raste ka pas tentime që duke u thirr në këtë udhëzim, respektivisht në këtë nen t’u mohohet e drejta e shkollimit nxënëseve që bartin mbulesën myslimane – shaminë.

Kërkojmë nga organet kompetente, Ministria e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, si dhe nga kryeministri z. Albin Kurti, që sa më parë ta anulojnë këtë vendim, që në vete është diskriminues ndaj qytetareve të Kosovës – fëmijëve tanë.

Mirëpo, kjo kërkesë e kamotshme e BIK-ut nuk duhet politizuar e as polarizuar, por duhet trajtuar me përgjegjësi e korrektësi maksimale”, thuhet në kërkesë.

E një nismë për lejimin e bartjes së shamisë në shkollat e Kosovës ka gjetur mbështetje në rrjetet sociale.

Përmes iniciativës “#ndryshojeni_ua_për_shaminë”, dy qytetarët kosovarë, juristi Durim Berisha dhe aktivisti Liridon Kurti, në fillim të muajit gusht i kanë dërguar një kërkesë Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) për të ndryshuar një udhëzim administrativ përmes së cilit që nga viti 2010 në shkollat e Kosovës ndalohet bartja e shamisë.

Liridon Kurti që udhëheq fushatën në rrjetet sociale, thotë për Radion Evropa e Lirë se “diskriminimi që ka ndodhur ndaj vajzave me shamia në shkolla”, ka qenë motivimi kryesor për këtë fushatë.

“Është tentuar të ndryshohet [Udhëzimi Administrativ] dy-tri herë, mirëpo për fat të keq prapë po keqpërdoret, po keqinterpretohet prej individëve dhe prej institucioneve”, thotë ai./Nacionale.com/

Lajme të ngjashme