Tensione mes dy Koreve, për herë të parë hedhin raketa jo larg brigjeve të njëra-tjetrës
Koreja Veriore dhe Koreja Jugore kanë hedhur për herë të parë raketa që kanë rënë në ujërat në drejtim të brigjeve të tyre.
Seuli u hakmor të mërkurën, tri orë pasi Pjongiangu lëshoi një raketë që ra më pak se 60 kilometra larg qytetit të Koresë Jugore, Sokcho, raporton televizioni BBC.
Ushtria e Koresë Jugore tha se ky veprim është shkelje e papranueshme e territorit të vendit të saj dhe hodhi tri raketa ajër – tokë si kundërpërgjigje. Zyrtarët e këtij shteti thanë se ato ranë në largësi të ngjashme nga Linja Veriore e Kufirit.
Të martën, Koreja Veriore paralajmëroi se Koreja Jugore dhe Shtetet e Bashkuara do ta paguanin “çmimin më të tmerrshëm në histori”, nëse do t’i vazhdonin ushtrimet e përbashkëta ushtarake. Ky paralajmërim është parë si kërcënim i tërthortë për përdorimin e armëve bërthamore.
Pritet që Koreja Veriore ta rifillojë së shpejti testimin e armëve bërthamore, pas një pushimi 5-vjeçar. Inteligjenca e Koresë Jugore dhe e ShBA-së kanë thënë se Koreja Veriore i ka përmbyllur të gjitha përgatitjet e nevojshme për këto teste.