Tenderi 18 milionësh për bulevardin në Gjilan, dyshohet për favorizim të kompanive të caktuara
Paneli Shqyrtues i OSHP-së ka refuzuar raportin e ekspertëve të vet, që kërkonin ndryshimin e kritereve për tenderin e ndërtimit të bulevardit në Gjilan, duke e cilësuar raportin si të paargumentuar dhe jo profesional. Pas këtij vendimi, Komuna e Gjilanit publikoi menjëherë njoftimin për tenderin në sistemin e E-prokurimit, duke i lënë kompanive vetëm një ditë pune për të dorëzuar ofertat — një afat që shihet si i papërshtatshëm për një projekt kaq të madh dhe kompleks.
Tenderi ka një vlerë prej 18 milionë eurosh dhe dyshohet se kriteret janë përpiluar për të favorizuar kompani të caktuara. Dy operatorë ekonomikë, “Pro&Co Group” dhe “Semaks”, kanë paraqitur ankesa duke pretenduar se specifikimet teknike janë diskriminuese.
Ekspertët e OSHP-së, Blerina Huruglica dhe Enver Bytyçi, konkluduan se shumë nga kërkesat për pajisje janë të panevojshme dhe kufizuese, duke shkelur ligjin e prokurimit dhe duke dëmtuar konkurrencën e drejtë.