Temperatura të larta në Pallatin e Drejtësisë, Gjykata e sqaron: Përgjegjësia është e MPB-së
Në Pallatin e Drejtësisë ku është e vendosur Gjykata Themelore në Prishtinë, temperaturat në sallat e gjykimit dhe zyrat e gjykatësve këto ditë po arrijnë mbi 30 gradë.
Lidhur me këtë situatë, nga Gjykata Themelore në Prishitinë kanë thënë se temperaturat po vështirësojnë punën e gjykatësve dhe gjithë stafit administrativ.
“Ju informojmë se kondicionerët në Gjykatën Themelore në Prishtinë – në objektin A dhe D nuk janë duke funksionuar siç duhet. Si pasojë e kësaj, temperaturat në zyrat e gjykatës kanë arritur deri në 31.5°C, duke krijuar kushte të vështira për punë. Temperaturat e larta nëpër zyre të gjykatës dhe salla të gjykimit janë duke ndikuar negativisht në shëndetin e gjyqtarëve dhe stafit administrativ, si dhe në efikasitetin e punës së përditshme në gjykatë”, thuhet në përgjigjen e zëdhënëses së Gjykatës, Mirlinda Gashi për “Betimi për Drejtësi”.
“Menaxhmenti i gjykatës ka njoftuar KGJK-në, si dhe në mënyrë të përsëritur ka njoftuar zyrtarët kompetentë nga Ministria e Punëve të Brendshme – Divizioni për Menaxhimin e Ndërtesave (DMN), duke kërkuar intervenim për sanimin e problemit, megjithatë deri më tani nuk janë ndërmarrë masa konkrete për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe gjendja është duke vazhduar të jetë e njëjtë”, thuhet tutje në përgjigje.
Sipas tyre, përgjegjësia e drejtpërdrejtë në këtë rast është e MPB-së.
“Ne si gjykatë konsiderojmë se zgjidhja e këtij problemi teknik është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e zyrtarëve kompetentë të MPB-së – DMN, të cilët gjykata në çdo kohë është duke i ftuar që të ndërmarrin veprime urgjente për ta normalizuar gjendjen. Shpresojmë se kjo gjendje të përmirësohet, pasi që ambienti i papërshtatshëm për punë jo vetëm që është duke cenuar mirëqenien fizike të stafit dhe gjyqtarëve por edhe është duke penguar cilësinë dhe trajtimin në kohë të lëndëve gjyqësore”, thuhet në përgjigjen e Gashit.