Të shtëna me armë në Podujevë: Policia arreston të dyshuarin
Një incident me armë zjarri ka ndodhur mesditën e sotme në qytetin e Podujevës. Policia e Kosovës ka konfirmuar se një person ka përfunduar në pranga lidhur me rastin.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30 në rrugën “Zahir Pajaziti”. Pas raportimeve për të shtëna, njësitet policore kanë intervenuar me shpejtësi në vendin e ngjarjes, duke lokalizuar dhe arrestuar personin e dyshuar.
Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka konfirmuar incidentin, duke sqaruar se fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.
“Rreth orës 13:30 është raportuar për një gjuajtje me armë zjarri në rrugën ”Zahir Pajaziti” në Podujevë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka arrestuar personin e dyshuar”, tha ajo.