Të premten seanca e Kuvendit: Në rend dite Ligji i Pagave dhe ai për zyrtarët publikë
Të premten do të mbahet seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës.
Në rend dite do të jenë dy projektligje me rëndësi të madhe: Ligji për Paga dhe Ligji për Zyrtarët Publikë.
Kështu ka thënë shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë.
“Seanca është caktuar për të premten. Për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, kjo është ndër seancat më me rëndësi për shkak se në trajtim vjen ligji i shumëkërkuar, Ligji i Pagave, i cili fatkeqësisht e ka emrin Ligji i Pagave, po nuk dihet se është rroga e një zyrtari publik, për shkak se nuk ka as koeficient e nuk ka as vlerë as koeficient. Po ashtu, në këtë seancë do të vjen edhe Ligji për Zyrtarët Publikë, që për mua personalisht, ai ligj nuk është Ligji për Zyrtarët Publikë, por është ligji për kapjen e zyrtarëve publikë, për shkak se interferohet drejtpërdrejt në kundërshtim me Bashkimin Evropian dhe sigmën në sistemin e meritokracisë, pra dora politike, po zgjatet shumë në kapje të zyrtarëve publikë. Po ashtu, janë edhe disa ligje tjera që janë në plotni, në kundërshtim me Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Tahiri.